Nga Rajoni
27 dhjetor 2020
Osmani: Drejtësi për krimet e luftës dhe gjenocidin serb

Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, kërkoi mbështetjen e aleatëve ndërkombëtarë, për të ndjekur, siç tha, “kryesit e krimeve të luftës dhe të gjenocidit në Kosovë”.

Në mesazhin e fundvitit drejtuar aleatëve, Osmani tha se Kosova nuk mund t’i kapërcejë e vetme sfidat dhe se suksesi i saj varet nga mbështetja e miqve dhe e aleatëve.

“Gjatë gjithë historisë sonë, populli i Kosovës vazhdimisht ka demonstruar një dëshirë të madhe për paqe, stabilitet dhe drejtësi. Ndërsa paqja është arritur, lufta për të vërtetën ende vazhdon. Pas më shumë se dy dekadash, plagët e Kosovës nuk mund të shërohen pa drejtësi”, tha Osmani në video-mesazhin e publikuar në Facebook.

Osmani kujtoi gratë e dhunuara nga forcat serbe gjatë luftës dhe tha se asnjë person i vetëm nuk është ndjekur penalisht për këtë “krim të neveritshëm”.

“Ne ende sot kemi prindër që dëshirojnë të dinë vendndodhjen e mbi 1,600 kosovarëve të zhdukur”.

“Ata jetojnë me shpresën se një ditë do të gjejnë drejtësi. Ata kanë të drejtë të dinë vendndodhjen e më të dashurve të tyre të zhdukur”, tha Osmani.

Si ushtruese e detyrës së presidentit, Osmani tha se “kur historia dhe e vërteta sfidohen”, ajo ndjen përgjegjësi që të sigurojë se për to “flitet me zë të lartë dhe të qartë”.

“Nisur nga kjo, ne kërkojmë mbështetjen tuaj në ndjekjen tonë për drejtësi për krimet e luftës dhe gjenocidin serb, si dhe në kërkimin tonë për përgjegjësi për personat tanë të zhdukur”, tha Osmani.

Ajo po ashtu i falënderoi aleatët ndërkombëtarë për mbështetjen e dhënë për Kosovën gjatë pandemisë së koronavirusit.

Osmani, kryetare e Kuvendit të Kosovës, është bërë ushtruese e detyrës së presidentit në fillim të nëntorit, kur Hashim Thaçi ka dhënë dorëheqje për t’u përballur me akuzat për kime lufte, të ngritura nga Prokuroria Speciale në Hagë./Rel



Të ndryshme
Më shumë
Raportuesit e PE-së: Fushata, pa kërcënime30 qershor 2020
Aksident në autostradën Tetovë – Shkup, disa të lënduar23 korrik 2020
Aksiident i rënd në Shkup, lëndohen nënë e birë nga rrokullisja e veturës 28 gusht 2020