Nga Rajoni
14 shkurt 2021
Bora dhe moti i ftohtë shkaktojnë probleme në Shqipëri

Moti i ligë vazhdon të kaplojë Shqipërinë, ku janë regjistruar reshje bore dhe shiu, duke shkaktuar probleme në qarkullimin e automjeteve në akset rrugore të vendit. Reshjet e borës kanë përfshirë Qarkun e Tiranës, Durrësit, Dibrës, Shkodrës dhe Lezhës, ndërkohë autoritetet janë angazhuar për normalizimin e qarkullimit pas vështirësive të shkaktuara edhe nga prezenca e ngricave.

Pavarësisht problemeve në akset rrugore rurale, Tirana është mbuluar nga bora duke sjellë një atmosferë të veçantë për banorët e kryeqytetit. Në një njoftim nga Ministria e Mbrojtjes thuhet se si rezultat i reshjeve të borës ka pasur problematika në disa akse rrugore, ku disa prej tyre janë bllokuar për qarkullimin.

Për normalizimin e situatës janë angazhuar edhe Forcat e Armatosura të Shqipërisë, për të ndihmuar lëvizjen e qytetarëve në njësitë administrative që janë bllokuar nga reshjet e shiut dhe të borës.

Autoritetit Rrugor Shqiptar në rrjetet sociale ka njoftuar se gjatë natës reshjet e borës kanë vazhduar pothuajse në të gjithë territorin e vendit, shoqëruar edhe me erë të fortë e temperatura shumë të ulëta.

Nga ana tjetër, nisur nga situata e krijuar për shkak të motit të keq, me prezencë të akullit, borës dhe ujit në akset rrugore nacionale dhe rurale, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shqipërisë u ka bërë thirrje qytetarëve të kufizojnë lëvizjet e panevojshme.

Kujtojmë se për shkak të motit të keq institucionet e arsimit parauniversitar në Shqipëri do të zhvillojnë mësimin online nga data 15 deri në 19 shkurt, ndërkohë që të gjitha ndeshjet e futbollit të parashikuara më 14 shkurt për kategorinë e dytë dhe të gjitha nivelet e kampionatit të moshave nuk do të zhvillohen.



Të ndryshme
Më shumë
Gjendet një person i vdekur në Shkup 6 korrik 2020
Bedri Fazliu në vend të Florin Besimit23 gusht 2020
Shaqiri: Administratorët të cilët nuk do të pranojnë listën e transferimeve do të humbin vendet e punës 8 dhjetor 2020