Nga Rajoni
24 shtator 2021
Mashtrimet për shërim jashtë vendit: Këto janë dy llogaritë që mblodhën rrejshëm para për pacientë që nuk ekzistonin

Policia ka shpallur në kërkim dy persona të dyshuar për mashtrime me kinse raste që kanë nevojë për shërim jashtë vendit.

Gazeta prej disa muajve i është drejtuar policisë, pasi ka gjetur se persona të njëjtë kërkojnë para për raste të ndryshme nëpër qytete të ndryshme në Kosovë. Ata përdornin adresa fiktive të spitaleve në Turqi dhe publikonin fotografi të pacientëve që në fakt nuk ekzistonin. Më poshtë gjeni të detajuara rastet e mashtrimit.

Express ka publikuar disa mesazhe që, më datën 3 maj të viti 2021 ka shënuar një person me emrin Mexhid Krasniqi, teksa ka kërkuar ndihmë kinse për një person të quajtur “Shukri Krasniqi”, i cili jetonte në Ferizaj.

Pas një kërkimi në rrjete sociale, është gjetur se faqja e spitalit me emrin “Sifali Hastane”, që thuhej se do të mjekohej pacienti, është e hapur në muajin prill dhe se të gjitha fotografitë e publikuara ishtin të marra nga “Google”.

Po ashtu, adresa që figuronte në “dokumentin” e dërguar nga Mexhid Krasniqit nuk përputhej në verfikimin e hartës. Gazeta  ka telefonuar numrat që figuronin kinse në emër të spitalit turk, por këta numra nuk ishin validë.

Ndërsa, pak ditë më vonë në adresën e Gazetës ka ardhur edhe një mesazh që kërkon ndihmë për një vajzë të quajtur “Egzona Krasniqi” nga Gjakova. Llogaria bankare prapë ishte në emër të Mexhid Krasniqit.

Pas kërkimit nga ana e Gazetës për dokumente të spitalit, ata kanë dërguar të njëjtin dokument si në rastin e parë të “Sifali Hastane”, dhe mënyra e shpalljes për ndihmë ishte e ngjashme me rastin e parë dhe disa raste të tjera, të cilat kanë ardhur në llogarinë e gazetës vazhdimisht gjatë muajve. Këto njoftime janë shpërndarë mjaft shumë nëpër rrjete sociale e media.

Më 6 qershor, pra një muaj pas rastit të parë, në media është përhapur edhe një shpallje për ndihmë për një person të quajtur “Shukri Gashi”.

Gazeta pas kërkimeve të bëra më datën 15 maj, ka dërguar informata në Policinë e Kosovës për dy rastet e para, ndërsa për rastin e tretë më datën 13 qershor ka dërguar të gjitha informatat e dyshimta.

Por, gjatë muajit gusht, në media është shpërndarë edhe një tjetër shpallje për ndihmë e cila ishte e ngjashme me shpalljet tjera, por, kësaj radhe po kërkohej ndihmë për shërimin e “Valentina Berisha-Gashi”.

Nga policia patën deklaruar se janë duke kryer hetime pas interesimit të Gazetës, ndërkaq nga Prokuroria nuk janë përgjigjur.

Identifikohen dy persona të dyshuar për disa raste të mashtrimeve

Prishtinë, 24 shtator 2021 – Referuar disa rasteve të mashtrimit të raportuara gjatë këtij viti (prill, maj, qershor), Drejtoria Rajonale e Policisë së Prishtinës, respektivisht Njësia e hetimeve të Përgjithshme, kanë ndërmarrë të gjitha masat policore në drejtim të hetimit, identifikimit, marrjes e përpunimit të informacioneve të rëndësishme që lidhen me rastet në fjalë:

Veprimet e lartcekura policore kanë rezultuar me identifikimin e të dyshuarve:

– Mexhid Krasniqi, 35 vjeç, mashkull, shtetas i Republikës së Kosovës dhe

-Muhamet Gashi, 22 vjeç, mashkull, shtetas i Republikës së Kosovës,

për të cilët dyshohet se janë të përfshirë në kryerjen e rasteve të mashtrimeve që po hetohen nga ana e policisë.

Mbështetur në rezultatet e deritanishme të hetimit, policia ka ngritur dyshimin e bazuar se mashtrimet mund të kenë ndodhur në vazhdimësi për një periudhë të gjatë kohore.

Personat e dyshuar përmes llogarive bankare, kanë përfituar shuma parash duke përdorur rrjetet sociale në internet dhe portalet, (me dokumente që dyshohet të jenë të falsifikuara), për të kërkuar ndihmë për shërim jashtë vendit, për persona të ndryshëm.

Personat e dyshuar aktualisht ndodhen në arrati dhe janë shpallë në kërkim nga ana e policisë.

Andaj inkurajojmë të gjithë ata që kanë informacione lidhur me vendndodhjen e tij, apo çfarë do lloj informacioni tjetër që do t’i kontribuonte arrestimit të tyre, t’ ia kalojnë ato policisë përmes linjës 192, apo në çfarëdo forme tjetër.

Ndërkaq sot, përmes një komunikate për media, Policia e Kosovës ka njoftuar se ka identifikuar dy persona, Mexhid Krasniqi dhe Muhamet Gashi për disa raste të mashtrimeve. Në komunikatë është e shënuar që rastet e dyshimta janë të muajit prill, maj dhe qershor dhe emri i njërit nga personat është i njëjtë me atë të cilët kanë kërkuar ndihmë.

 



Të ndryshme
Më shumë
Partitë shqiptare, gati emrat e zv/ministrave në Qeverinë ‘Zaev 2’12 shtator 2020
Mariçiq: Regjistrimi është i suksesshëm 1 tetor 2021
KSHZ hedh poshtë ankesat e partisë “E majta” në Maqedoni22 tetor 2021