Nga Bota
1 tetor 2021
Tashmë ata janë vendosur në SHBA – afganët rrëfejnë historitë e tyre të ikjes, frikës dhe shpresës

Gjatë javëve kur talebanët po merrnin kontrollin në Afganistan, një udhëtim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes pikave të rrezikshme të kontrollit, netëve pa gjumë dhe fluturimeve të shumta ishte kryesisht i paimagjinueshëm për mijëra afganë që tani jetojnë në bazën ushtarake Fort McCoy të SHBA-së.

Por derisa talebanët pushtuan kryeqytetin e vendit Kabulin, në mes të gushtit, nisja e fluturimeve amerikane u bë shpresa më e mirë për mbijetesë për afganët e panumërt që kishin frikë nga hakmarrja nga grupi, shkruan Al Jazeera, përcjell Telegrafi.

Tani, javë pas evakuimeve të nxituara dhe kaotike, familjet afgane e gjejnë veten në një vend të panjohur mijëra kilometra larg shtëpisë.

Mediumi Al Jazeera solli rrëfimin e disa afganëve në Fort McCoy, një bazë ushtarake amerikane në Wisconsin perëndimor, ku ata janë duke pritur procedurat për migrim, para se të lirohen në komunitetet e gjithë vendit. Objekti strehoi më shumë se 8,000 afganë në fillim të shtatorit.

Këtu, ata rrëfejnë sesi u arratisën nga Afganistani dhe ndajnë shpresat e tyre për të ardhmen, si dhe dëshirën e tyre për të ndihmuar dhe për t’u rilidhur me të dashurit në atdheun e tyre.

Abdul: ‘Trishtimi më i madh ishte që lashë djalin tim’.

Abdul, baba i tre fëmijëve që ka punuar me forcat afgane të sigurisë, tha se ishte “terrorizuar” nga spastrimi i talebanëve në të gjithë vendin. “Ne e dinim se çfarë janë talebanët dhe si sillen ata”, tha ai për Al Jazeera.

Derisa u përhapën raportet për vrasje nga hakmarrja në zonat e kontrolluara nga talebanët, ai thotë se ai dhe familja e tij nuk kishin zgjidhje tjetër veçse të iknin.

Talebanët kanë premtuar se nuk do të kërkojnë hakmarrje kundër afganëve që punuan me qeverinë ose forcat amerikane.

“Isha në panik. Nga njëra anë, u ndjeva se kisha nevojë të shkoja, por u ndjeva aq i trishtuar që po largohesha nga vendi im dhe familja ime”, tha ai për Al Jazeera.

Paniku i Abdulit u rrit derisa djali i tij nëntëvjeçar u sëmur kur familja e tij po përpiqej të mbërrinte në aeroportin e Kabulit. Ai tha se përpjekjet e tij fillestare për të arritur në kompleks dështuan sepse talebanët në pikat e kontrollit pranë aeroportit i shtynin njerëzit prapa dhe iu mohuan kalimin.

Derisa koha po kalonte, ai tha duhej ta linte fëmijën e tij të sëmurë me prindërit e tij në kryeqytet dhe të përpiqej të arrinte te porta e aeroportit e ruajtur nga forcat amerikane dhe afgane. “Ky është trishtimi im më i madh”, thotë Abdul, pasi duhej ta brakstiste djalin në Afganistan.

Përfundimisht, Abdul, gruaja e tij dhe dy fëmijët më të vegjël kaluan tre net pa gjumë në hyrjen veriore të aeroportit. Abdul nuk kishte aplikuar për programin e Vizës Imigruese Speciale (SIV) në dispozicion për afganët që punuan me SHBA-në. Në portën e aeroportit, ai tregoi prova se punonte me forcat afgane të sigurisë dhe forcat amerikane e lanë të hyjë.

Pasi hyrën brenda, ata morën të dhënat dhe ai u miratua për evakuim. Abdul dhe familja e tij u dërguan në Doha pastaj në Ramstein, një bazë ajrore amerikane në Gjermani, para se të transferoheshin në Fort McCoy. Ndërsa kushtet nuk ishin ideale gjatë udhëtimit, Abdul tha se familja e tij ishte e lehtësuar që kishte arritur të largohej nga Afganistani.

“Unë jam plotësisht i angazhuar që të ndjekë rregullat dhe ligjet e këtij vendi në të ardhmen”, tha ai derisa falënderojë forcat amerikane duke shtuar se përparësia e tij kryesore është të sjellë djalin e tij në SHBA dhe pastaj vëllain dhe dy motrat e tij.

Abas: ‘Komuniteti ynë Hazara do të vuajë’

Abas tha se kishte një “jetë të lumtur” para rënies së qeverisë. Ai jetoi në Kabul dhe planifikoi të ndiqte universitetin ndërsa aplikimi i tij për vizë SIV ishte duke u përfunduar. Familja e tij, nga komuniteti Hazara, kultivonte patate në Provincën Bamyan, në perëndim të kryeqytetit.

“Ata ishin të lumtur derisa talebanët pushtuan krahinën”, tha ai. “Ne rezistuam kundër talebanëve gjatë gjithë kohës, dhe tani që ata po sundojnë, komuniteti ynë Hazara do të vuajë”.

Amnesty International dokumentoi një masakër nga luftëtarët talebanë kundër burrave Hazara në fillim të këtij viti.

Abas tha se ishte i tronditur dhe “u ndje i pashpresë” kur talebanët arritën në Kabul më 15 gusht, duke e pushtuar qytetin me pothuajse asnjë rezistencë.

“Për shkak se kisha punuar për ushtrinë amerikane në të kaluarën, shkova dhe u fsheha në shtëpinë e një të afërmi ditën kur talebanët hynë në Kabul”, tha ai. “Zgjodha të qëndroja në një zonë të populluar, dhe një zonë ku kishte punë, dhe që nuk merrte vëmndje… Mendova se e gjithë pritja dhe lufta ime për të marrë vizën po zhdukej”.

Të nesërmen, ai vendosi të shkonte në aeroport me shpresën se do të ishte në gjendje të largohej nga vendi. “Tashmë kishte një turmë të madhe njerëzish dhe talebanët po i ndalonin ata të hynin në aeroport”, tha ai.

Pas një dite pritjeje, Abas tha se arriti te porta ushtarake ku ia tregoi dokumentet e tij SIV çdo ushtari amerikan që takonte. Përfundimisht ai u lejua në kompleks.

“Thirra menjëherë familjen time duke i thënë se isha në duar të sigurta; nëna ime qau, gjë që gjithashtu më bëri të qaj”, potencoi Abas.

Abas u dërgua me një aeroplan ushtarak në Kuvajt, pastaj në Aeroportin Ndërkombëtar Dulles pranë Washington, DC, para se të transferohej në Fort McCoy, ku i tha Al Jazeera se kushtet po përmirësohen dita ditës.

“Është krejtësisht një kontinent dhe vend tjetër, ne duhet të përshtatemi dhe të mësohemi me këtë ushqim”, u shpreh ai. “Gjithashtu ushtarët po na trajtojnë mirë. Më pëlqen shumë kur ata na quajnë mysafirë, jo emigrantë”.

Abas tha se shpreson të fillojë punën për të ndihmuar familjen e tij që gjendet në Afganistan. “Situata ekonomike tashmë ka filluar të përkeqësohet atje”, tha ai.

Hashima: ‘Të gjithë duan një jetë të mirë’

Hashima 23-vjeçare, ishte duke studiuar marrëdhëniet ndërkombëtare në një universitet privat në Kabul para se të rrëzohej qeveria afgane.

Ajo tha se nuk kishte plane të menjëhershme për të lënë vendin para se talebanët të merrnin Kabulin, por me dy anëtarë të familjes që punonin me forcat amerikane, ajo ndjeu se duhej të ikte.

Ajo së pari u drejtua për në aeroportin në Kabul, por me turma të mëdha para portave, Hashima nuk ishte në gjendje të arrinte në kompleks. Vëllai i saj, i cili punoi me ushtrinë amerikane dhe iku nga Afganistani në Kinë, e udhëzoi atë të shkonte në qytetin verior të Mazar-i-Sharif për të marrë një fluturim, tha ajo.

“Ne shkuam në Mazar dhe pritëm dy ditë atje, pastaj u nisëm për në Katar”, tha Hashima. Por 23-vjeçarja, e cila nuk ka fëmijë, duhej ta linte burrin e saj pas.

“Emri i burrit tim nuk ishte në listën e të evakuuarve, kështu që unë duhej të vija vetëm”, tha ajo. “Kjo pasi gjithçka ndodhi papritur, dhe vëllau im nuk e kishte paraqitur ende emrin e burrit tim në vizën SIV”, deklaroi ajo.

Edhe me të mbërritur në kontinentin amerikan, Hashima thotë se ndihet e lumtur dhe e relaksuar në Fort McCoy, por shton se prioriteti i saj është të sjellë burrin e saj në SHBA.

“Ai punonte me një kompani amerikane. Ai është me të vërtetë i kërcënuar  nga talebanët. Talebanët erdhën në shtëpinë tonë dhe po e kërkonin burrin tim, por ai nuk po qëndron aty”, tha ajo.

Hashima shtoi se frika për sigurinë e burrit të saj, në kontrast me përpjekjen e saj për të qenë e lumtur në mjedisin e saj të afërt, e ka lënë atë të ndihet “e hutuar”.

“Të gjithë duan një jetë të mirë”, u shpreh ajo.

“Unë këto ditë marr lapsin dhe fletoren time, ulem në hijen e një peme dhe shkruaj planet e mia për të ardhmen time këtu. Unë shkruaj dëshirat dhe qëllimet e mia. Unë dua të jem përfaqësuesja e popullit afgan këtu në Amerikë. Doja të kisha lirinë e plotë për të arritur qëllimet e mia”, rrëfen 23-vjeçarja.

Mohammad: ‘Më duket pothuajse e pamundur të pranojë pushtimin nga talebanët’

Mohammad, 54 vjeç, thotë se ai ende po përpiqet të pranojë pushtimin e vendit nga talebanët. “Unë mendoj se duhet të kem parë një ëndërr, por pastaj e kuptoj dhe them prit, kjo ishte e vërtetë”, tha ai për rënien e qeverisë afgane.

Mohammad, baba i gjashtë fëmijëve që punonte si pastrues në një bazë amerikane në Afganistan, kishte aplikuar për vizën SIV katër vjet më parë, por ai tha se ishte “i lumtur” që jetonte në Kabul me familjen e tij. “Frika e vetme që kishim ishte se jeta jonë ishte në rrezik për shkak të shërbimit tonë me amerikanët”.

Ardhja e talebanëve në Kabul ndryshoi gjithçka, tha Mohammad. “Dita kur talebanët kapën Kabulin ishte si një ditë e kijametit”, tha ai për Al Jazeera.

Ai dhe familja e tij pritën katër ditë në portën veriore në aeroportin e Kabulit para se të gjenin rrugën, pasi trupat hodhën gaz lotsjellës për të shpërndarë njerëzit që përpiqeshin të ngjiteshin në muret e kompleksit.

“Të gjithë filluan të marrin frymë me vështirësi, me duart në sy”, tha ai, duke kujtuar se si turmat u zhdukën nga afërsia e portës. “Të gjithë bërtisnin emrat e anëtarëve të familjes së tyre dhe kërkonin t’i gjenin ata”.

“Sapo pamë pjesën e përparme të portës bosh, vrapuam përsëri te porta dhe iu treguam letrat tona forcave amerikane, të cilët menjëherë hapën portën dhe na lanë të hyjmë”.

Muhammad dhe familja e tij u dërguan në Kuvajt dhe më pas në Wisconsin. “E vetmja gjë që pashë në fytyrat e anëtarëve të familjes sime ishin buzëqeshjet. Edhe pse ishim të lodhur, të gjithë ishin shumë të lumtur që më në fund ishin në SHBA”, ka rrëfyer ai.

Ai mes tjerash potencoi se nuk kishte ndonjë ankesë në Fort McCoy derisa vizat po rregulloheshin.

“Nuk do të më pengonte edhe nëse do të prisja me muaj këtu sepse këtu të paktën është situatë paqësore. Kabuli ishte si ferri kur u larguam”, tha ai./Telegrafi/



Të ndryshme
Më shumë
Osmani në takim me ambasadorin e ri të Sllovenisë: Marrëdhëniet miqësore do të vazhdojnë edhe më tej14 shtator 2020
Menduan se ishte kufoma e një gruaje të mbytur, ekipet e shpëtimit habiten nga ajo çka gjejnë24 qershor 2021
Momente tmerri! Nënat afgane hedhin foshnjat mbi telat me gjemba, u përgjërohen amerikanëve ti marrin19 gusht 2021